Një Mjek
Një Mjek
Skolioza - Simptomat, Diagnoza dhe Trajtimi
Skolioza - Simptomat, Diagnoza dhe Trajtimi

Skolioza - Simptomat, Diagnoza dhe Trajtimi

Çfarë është skolioza?

Skolioza është një deformitet i boshtit kurrizor, në të cilën shpina ka një lakore jonormale. Shtylla kurrizore mund të lakohet majtas ose djathtas në një formë "C", ose në të dy drejtimet, duke formuar një formë "S". Skolioza përcaktohet kur lakimi i shtyllës kurrizore është 10 shkallë ose më shumë. Pjesa torakale e shpinës dhe ajo lumbale mund të preken nga skolioza, në anën e djathtë ose të majtë të shtyllës kurrizore, ose në të dy anët në seksione të ndryshme.

Skolioza varion nga e lehtë në të rëndë, bazuar në shkallën e lakorës. Trajtimi varet nëse lakorja është e qëndrueshme ose në rritje dhe nëse është e lehtë, e moderuar ose e rëndë.

Skolioza e lehtë: Një lakim kurrizor që esht\ 10-25 shkallë shpesh nuk kërkon asnjë lloj ndërhyrjeje mjekësore përveç vizitave të rregullta te mjeku për t'u siguruar që lakorja nuk po përkeqësohet.

Skolioza e moderuar: Një lakore prej 25-45 shkallë konsiderohet e moderuar. Fëmijët dhe adoleshentët me skoliozë të moderuar zakonisht mund të trajtohen me protezë.

Skolioza e rëndë: Një lakore prej 45 shkallë ose më shumë, konsiderohet e rëndë dhe mund të ndërhyjë në funksionimin e mushkërive dhe organeve të tjera të brendshme. Fëmijët me skoliozë të rëndë zakonisht kanë nevojë për operim të shtyllës kurrizore.

Shkalla e lakorës mund të rritet me kalimin e kohës, veçanërisht gjatë fazes së rritjes. Nëse zbulohet herët, shumë fëmijë me skoliozë mund të trajtohen pa operim, nëse trajtimi fillon përpara se lakorja e tyre të bëhet e theksuar.

 

Cilat janë llojet e skoliozës?

Shkaqet e skoliozës janë zakonisht të panjohura (idiopatike). Megjithatë, në disa njerëz skoliozoa është e pranishme që në lindje, pastaj mund të shkaktohet nga degjenerimi i nyjeve të shtyllës kurrizore ose disqeve, ose nga një sëmundje neuromuskulare që nuk lidhet me strukturat e kockës.

Skolioza idiopatike: Ky është lloji më i zakonshëm i skoliozës por shkaku nuk dihet. Zhvillohet më shpesh tek adoleshentët (e njohur si skolioza idiopatike adoleshente). Kur skolioza zhvillohet për arsye të panjohura tek të rriturit që nuk kanë histori të skoliozës, kjo quhet skolioza de novo.

Skolioza kongjenitale: Shtylla kurrizore pëson defekt gjatë zhvillimit të embrionit në jetën intrauterine.

Skolioza neuromuskulare: Skolioza në këto raste është komplikim i ndonjë sëmundjeje sistemike që prek sistemin nervor dhe/ose sistemin muskulor, si paraliza cerebrale, neurofibromatoza, distrofia muskulare, paraliza, sindroma Marfan ose osteogenesis imperfecta. Ky lloj i skoliozës shpesh krijon lakime komplekse.

Skolioza degjenerative: Kjo lloj skolioze shkaktohet nga konsumimi i nyjeve ose disqeve të shtyllës kurrizore dhe prekë të rriturit e moshuar,

 

Kush preket nga skolioza?

• Skolioza prek vajzat shumë më tepër se djemtë, në një raport prej rreth 8 me 1.

• Pothuajse një në tre persona që sëmuren me skoliozë kanë një histori familjare të kësaj gjendjeje.

• Rreth 2% e adoleshentëve preken nga skolioza.

• Shumë më rrallë, skolioza mund të prekë të rriturit. Kjo mund të jetë ose për shkak të një përparimi të një skolioze që ekzistonte në rininë e tyre, por që nuk ishte diagnostikuar ose trajtuar në atë kohë, ose të jetë rezultat i një gjendjeje degjenerative të shtyllës kurrizore ose osteoporozës.

 

Cilat janë simptomat e skoliozës?

Çdo individ mund të ketë simptoma të ndryshme, mirëpo simptomat më të zakonshme mund të përfshijnë:

• Ndryshimi në lartësinë e shpatullave

• Koka nuk është në qendër të trupit

• Diferencë në lartësinë ose pozicionin e ijeve

• Diferencë në lartësinë ose pozicionin e tehut të shpatullave

• Kur qëndroni drejt, diferenca në mënyrën se si varen krahët pranë trupit

• Kur përkuleni përpara, anët e shpinës duken të ndryshme në lartësi

• Shfaqja ose asimetria në brinjë e parë nga përpara ose mbrapa

 

Përveç simptomave të dukshme, skolioza mund të çojë në:

• Dhimbje të fundshpinës

• Ngurtësi e shpinës

• Dhimbje dhe mpirje në këmbë (nga nervat e shtypura)

• Lodhje për shkak të tendosjes së muskujve

• Vështirësi në frymëmarrje për shkak të lakores torakale në shtyllën kurrizore

 

Si diagnostikohet skolioza?

Zbulimi i hershëm i skoliozës është gjëja më e rëndësishme për trajtimin e suksesshëm të saj. Përveç një historie të plotë mjekësore dhe ekzaminimit fizik, Rentgeni është mjeti kryesor diagnostik për skoliozën. Me anë të fotografimit me rreze X, mjeku percakton shkallën e skoliozes.

Imazheri tjera që përdoren për diagnostikim të skoliozës janë MRI dhe CT.

 

Si trajtohet skolioza?

Për të zgjedhur trajtimin e duhur për skoliozë, duhet të mirren parasysh disa gjëra si:

Pjekuria e shtyllës kurrizore – a është shtylla kurrizore e pacientit ende në rritje dhe në ndryshim?

Shkalla dhe shtrirja e lakimit – sa e rëndë është lakorja dhe si ndikon ajo në stilin e jetës së pacientit?

Vendndodhja e lakores – sipas disa ekspertëve, lakimet e kraharorit kanë më shumë gjasa të përparojnë sesa lakimet në zona të tjera të shtyllës kurrizore.

Mundësia e progresionit të lakores – pacientët që kanë lakime të mëdha përpara rritjes së tyre adoleshente kanë më shumë gjasa të kenë progresion në lakore.

 

Pasi të vlerësohen këto variabla, mund të rekomandohen opsionet e mëposhtme të trajtimit:

Monitorimi. Në shumë fëmijë me skoliozë, lakorja e shtyllës kurrizore është mjaft e lehtë për të mos kërkuar trajtim.

 

Protezat. Protezat janë efektive vetëm në pacientët që nuk kanë arritur pjekurinë skeletore. Nëse fëmija është ende në rritje dhe lakorja e tij/saj është mes 25-40 shkallë, mund të rekomandohet një mbajtëse/protezë për të parandaluar përparimin e lakores. Për efektivitet optimal, proteza duhet të kontrollohet rregullisht për të siguruar përshtatjen e duhur dhe mund të duhet të mbahet 16 deri në 23 orë çdo ditë derisa rritja të ndalojë.

 

Kirurgjia. Tek fëmijët, dy qëllimet kryesore të operacionit janë të ndalojë përparimin e lakores gjatë moshës madhore dhe të zvogëlojë deformimin e shtyllës kurrizore. Shumica e ekspertëve rekomandojnë trajtim kirurgjik vetëm kur deformiteti i shtyllës kurrizore është më e madhe se 40 shkallë dhe ka shenja progresi.

Në përgjithësi, kirurgjia tek të rriturit mund të rekomandohet kur deformiteti i shtyllës kurrizore është më i madh se 50 shkallë dhe pacienti ka dëmtim nervor në këmbë dhe/ose po përjeton probleme të zorrëve ose fshikëzës.

 

Rreziqet e operacionit

Operacioni për korrigjimin e skoliozës është mjaft operacion i madh dhe mund të marrë deri në 1 vit ose më shumë për t'u rikuperuar plotësisht.

Ajo gjithashtu mbart një rrezik të komplikimeve potencialisht serioze duke përfshirë:

• dështimi për të zvogëluar dhimbjen – operacioni në përgjithësi është më i mirë në lehtësimin e dhimbjes që rrezaton në këmbë, sesa dhimbjet në shpinë

• infektimi i plagës

• trombozë gjaku

• rrallë, dëmtimi i nervave në shtyllën kurrizore - kjo mund të rezultojë në mpirje ose dobësi të përhershme të këmbës, ose një shkallë paralize në raste të rralla

 

Përfitimet e operacionit duhet gjithmonë të peshohen me kujdes kundrejt rreziqeve të tij. Megjithëse një përqindje e madhe e pacientëve me skoliozë përfitojnë nga operacioni, nuk ka asnjë garanci që operacioni do të ndalojë përparimin e skoliozës dhe simptomat në çdo individ.

 

Sa kohë do të duhet për t'u rikuperuar nga operacioni?

Të gjithë shërohen ndryshe, mirëpo zakonisht:

• 3-6 ditë pas operacionit – lëshimi nga spitali

• 10-14 ditë pas operacionit – Ndërprerja e medikamenteve kundër dhimbjeve

• 3-4 javë pas operacionit - Kthimi në shkollë/punë

• 7 ditë-6 muaj pas operacionit – Kthimi gradualisht në aktivitete

• 6 muaj pas operacionit – Rikthimi i plotë në të gjitha aktivitetet

 

Vlen të ceket se nuk ka aktivitete specifike që dihet se shkaktojnë ose korrigjojnë skoliozën. Në përgjithësi, njerëzit me skoliozë nuk kanë kufizime në lidhje me palestrën ose aktivitetete ndryshme. Palestra ose pjesëmarrja në sport mund përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.

Për më shumë informata në lidhje me kontrolletekzaminimettrajtiminshpenzimet dhe çdo gjë tjetër rreth shërbimeve tona në kuadër të partnerëve tanë, ju lutëm na kontaktoni përmes linjave tona të kontaktit si më poshtë ose plotësojeni formularin e dhënë në webfaqe dhe ne do ju kontaktojmë shumë shpejtë:

e-mail: info@njemjek.com

Turqi: +90 541 557 37 36; Kosovë: +383 48 333 752

 

“Besimi i juaj është përgjegjësi për ne.”

Një Mjek:

Përshëndetje!

A keni ndonjë pyetje? Mund të na shkruani!
10:08
Filloni Bisedën
Viber
Bëni
takim
Zyrat Tona
Mediat Sociale